Monday, January 12, 2015

Mustafa në situatë të vështirë me ministrin Jabllanoviq

Kërkesat e qytetarëve të Gjakovës për shkarkimin e ministrit Aleksandër Jabllanoviq, nuk po merren parasysh nga kryeministri, Isa Mustafa.

Ai, as të dielën, nuk ka bërë asnjë koment, lidhur me shkarkimin e ministrit serb, që i ka quajtur egërsira nënat gjakovare. Mustafa që ka nderuar familjen e Enver Malokut në 16- vjetorin e vrasjes, ka thënë se nuk është momenti të flitet për këtë temë.

Por atë që nuk e bën shefi i saj, e ka bërë deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo, ka shkruar në “Facebook” se gjuha e ministrit Jabllanoviq është e njëjtë me propagandën shoviniste serbe, e cila me vite të tëra, edhe në televizionin shtetëror serb, ushqente urrejtje ndaj shqiptarëve duke i quajtur ata njerëz me bishta, apo kafshë.
Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri, ka pohuar se kryeministri Mustafa është në situatë të vështirë. Ai, ka pohuar se politikanët serbë në Kosovë, janë të përkëdhelur nga bashkësia ndërkombëtare.
Derisa deklaratën e ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, e ka quajtur jo njerëzore. Në protestën e së shtunës në Gjakovë, ka pasur kërkesa edhe për dorëheqjen e Isa Mustafës për mosreagim të duhur.
Kurse janë paralajmëruar edhe protesta masive në Prishtinë.