Tuesday, October 21, 2014

Ekskluzive: “Ballisti”, 16 orë mbi kishë për të ngritur flamurin në Beograd (Video)


Shumë prej tyre janë vetëshpallur si autorë të këtij gjesti, që përveç se ngriti ndjenjën kombëtare në maksimum, njëkohësisht acaroi po në maksimum edhe marrëdhënie me Serbinë.

Në fakt, sot bëhet një javë kur Shqipëria po ndeshej me Serbinë, e kur droni me hartën e Shqipërisë Etnike dhe me portretet e Ismail Qemalit e Isa Boletinit fluturoi mbi fushë.
Gjatë ditës së djeshme mediat serbe thanë se bëhet fjalë për të riun shqiptar, kuksjanin Ismail Morina, i cili prej vitesh jeton në Milano të Italisë.
I riu që prej asaj dite ka marrë famë dhe është bërë një nga personazhet më të përfolura. Dikush e ka takuar, e dikush dëshiron ta takojë. Por, duket se ai nuk ka shumë qejf që të bëhet mediatik.
Shqiptarja.com ditën e djeshme ka biseduar me një mik të afër të të riut, i cili ka treguar se si është arritur që të ngrihet flamuri në mes të Beogradit.
Ismaili njihet si shumë patriot dhe atdhetar. Miku i tij rrëfen se ai kishte bërë edhe gjëra të tjera “të çmendura” për kombëtaren, siç është ai i rastit në Slloveni kur u ngjit në rrjetat e stadiumit dhe thërriste që të mbështetej kombëtarja.
“Ismaili kishte rregulluar gjërat që mos të kapej dhe kishte shkuar disa herë në Beograd për të parë vendin ku do të zhvillohej ndeshja. Për këtë ka përdorur edhe fotografi të stadiumit të Partizanit dhe rreth zonës aty”, thotë miku i tij.
Sipas tij, atë ditë “ai që në mëngjes kishte shkuar te Kisha dhe ishte ngjitur tek kambana ku kishte qëndruar rreth 16 orë pa lëvizur, pa ngrënë, me vetëm pak ujë”.
“Këto i kishte bërë që mos të diktohej nga priftërinjtë”, thotë ai.
Sipas tij, në kohën kur kishte filluar ndeshja, ai kishte dal nga aty, e kishte nxjerrë dronin dhe e kishte vendosur flamurin.
“Flamuri ishte përgatitur nga ai që nga muaji gusht kur ishte në Tiranë”, thotë miku.

Ekskluzive/'16 orë mbi kishë për të ngritur... by shqiptarjacom