Monday, December 1, 2014

Nesër vendimi i UEFA-s për ndeshjen Serbi - Shqipëri

Nesër UEFA do të flasë për herë të dytë për ndeshjen në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë e zhvilluar më datë 14 tetor. Komisioni i Apelit pritet të vendosë për ankesat e FSHF-së dhe FSS-së lidhur me vendimet e marra nga Komisioni për Kontrollin, Etikën dhe Disiplinën.

Disiplina vendosi dënimin e Shqipërisë me humbjen e ndeshjes në tavolinë me arsyetimin e refuzimit të rikthimit në fushë dhe 100 mijë Euro gjobë për dronin, që fluturoi në stadium pas ndërprerjes së sfidës nga hedhja e fishekzjarrëve në fushë në minutën e 41 të pjesës së parë.
Ndërsa Serbia u dënua me zbritjen e 3 pikëve, gjobë 100 mijë Euro dhe 2 ndeshje pa tifozë. Mediat në Shqipëri këtë vendim e cilësojnë politik dhe absurd, pasi për herë të parë një ndeshje del pa fitues, pasi asnjëri nga të dy ekipet nuk mori pikë.
Por, më 2 dhjetor zhvillohet raundi i dytë, ku Shqipëria kërkon në Apel ndryshimin e vendimit, 3 pikët në tavolinë dhe anulimin e gjobës. Ndërsa Serbia mbi të gjitha kërkon riluajtjen e ndeshjes me Shqipërinë ose pikët rikthimin e 3 pikëve që iu hoqën.
FSHF-ja përfaqësohet nga tri studio ligjore në mbledhjen e Komisionit të Apelit të UEFA-s.
Sipas të gjitha gjasave, çështja nuk do të mbyllet nesër, por do të vazhdojë deri në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar në Lozanë, pasi çfarëdo vendimi që të japë Apeli, është e pamundur që të dy ekipet të mbeten të kënaqura. Shqipëria dhe Serbia kanë deklaruar se do të dërgojë çështjen në KAS për të marrë maksimumin.